Faqja zyrtare e ekipit kombëtar të Anglisë ka kujtuar ndeshjen e para 20 vitesh në Tiranë ndaj Shqipërisë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës së vitit 2002.
Shqipëria është nikoqire e Anglisë në ndeshjen e sotme (e diel), e cila zhvillohet nga ora 18:00 në stadiumin “Air Albania” në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës “Katar 2022”.
Megjithatë, shqiptarët dhe anglezët nuk janë kundërshtar që nuk njihen, pasi kanë luajtur edhe në të kaluarën në ndeshje kualifikuese.
I tillë është edhe takimi i 28 marsit 2001, kur Shqipëria priti Anglinë në ‘Qemal Stafa’ dhe ky takim është kujtuar nga faqja zyrtare e ekipit kombëtar anglez.
“Hera e fundit në Tiranë… Në këtë ditë 20 vjet më parë, Tre Luanët mundën kundërshtarët e sotëm 3-1 në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës”, shkruan në postimin e faqes së Anglisë.
Last time in Tirana… 🇦🇱#OnThisDay 20 years ago, the #ThreeLions beat today's opponents 3-1 in a @FIFAWorldCup qualifier! pic.twitter.com/cslylbZ4uI
— England (@England) March 28, 2021
Në atë kohë, golat u shënuan të gjithë në pjesën e dytë, pasi 45 minutat e parë u mbyllen 0-0.
Michael Owen (73’), Paul Scholes (85’) dhe Andrew Cole (90+) shënuan për anglezët, ndërsa për shqiptarët shënoi Altin Rrakli (90’). /Telegrafi/