Thierry Henry ka folur për trajnerët që i ka model dhe ai ka zgjedhur dy ish-trajnerët e tij, Arsene Wenger dhe Pep Guardiola.
Legjenda franceze është emëruar para disa ditësh trajner i ri i Monacos, aty ku karrierën e kishte nisur si futbollist, duke zëvendësuar të larguarin Leonardo Jardim.
Henry ka fituar gjithçka si futbollist, por përvoja e tij e vetme në stol është ajo si zëvendës-trajner te Belgjika.
41-vjeçari është njohur gjithmonë si një njeri i thjeshtë dhe modest dhe këto cilësi i ka shfaqur edhe në konferencën e tij të parë përpara mediave franceze, ku foli fjalë të mëdha për Monacon dhe tregoi për modelet që ai ndjek.
“Monaco ka një vend të veçantë në zemrën time, pasi këtu kam shënuar golin e parë si profesionist dhe jam rritur shumë nën drejtimin e Arsene Wenger”, ka thënë fillimisht Henry.
“Dëshiroj të falënderoj paraardhësin tim, Leonardo Jardim, i cili do të ngelet gjithmonë në historinë e këtij ekipi, për ato çfarë ka arritur këtu”.
“Sa i përket modeleve që kam si trajnerë, ata padyshim janë Wenger dhe Guardiola, shpresoj të jem i suksesshëm si ata”, përfundoi francezi.
Ndryshe, klubi nga Principata nuk e ka nisur mirë këtë kampionat pasi ka vetëm gjashtë pikë në nëntë ndeshjet e para, por ardhja e Henryt shihet si një pikë kthese te Monaco. /Telegrafi/