Site icon Telegrafi

Hendboll: Vushtrria fiton Kupën e Kosovës pas fitores ndaj Istogut në ndeshjen që u zhvillua me shikues

(Foto: kosovahandball.info)

Vushtrria është fituese e Kupës së Republikës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. Kjo skuadër të dielën e mposhti në finale Istogun me rezultat 22-17.

Finalja ishte interesante e cilësore, ndërsa të dyja skuadrat kanë luftuar deri në fund pa kursyer asgjë. Ndërsa ishin vushtrriaset që shfaqën më shumë dhe fituan finalen e madhe.

Kupën kapitenes së Vushtrrisë, Shqipe Tahiri, ia dorëzuan ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini, që ndanë edhe medaljet e arta për vushtrriaset.

Ndërkohë, medaljet e argjendta për lojtaret e Istogut i ndanë zv/drejtoresha e Departamentit të Sportit, Afërdita Fazlija dhe nënpresidenti i FHK-së, Enis Idrizi – thuhet në njoftimin e FHK-së.

Vushtrria nisi shkëputjen pas minutës së gjashtë, kurse tre gola epërsi i kishte në minutën e dhjetë. Istogu në pjesën e parë u afrua në një gol, por epërsia e Vushtrrisë shkoi deri në gjashtë gola. Pjesa e parë përfundoi me rezultat 13-8 për Vushtrrinë.

Kjo skuadër e mbajti epërsinë edhe në pjesën e dytë. Istogaset u afruan prapë deri në një gol (16-15), por prapë Vushtrria u shkëput dhe ia doli të mbajë epërsinë deri në fund.

Te Vushtrria u dallua portierja Njomza Kelmendi dhe liderja Burneta Rama, që shënoi 9 gola. Por edhe kapitenia Sh. Tahiri dhe të tjerat ofruan maksimumin dhe dhanë kontribut të çmueshëm. Te Istogu u dallua portieria B. Ahmetxhekaj, kurse më efikasja ishte kapitenia Albina Rugova me 7 gola.

Ndeshja është luajtur me shikues në palestër, por duke mbajtur distancën dhe duke respektuar masat në luftë ndaj COVID-19. Po ashtu Task-Forca e FHK-së për përballje me COVID-19 ka bërë kontrollimin mjekësor të lojtarëve dhe stafeve të klubeve.

Exit mobile version