Kampioni i Kosovës në konkurrencë të femrave, KHF Ferizaj, ka mësuar të martën kundërshtarin e raundit të tretë të Kupës Evropiane.
Shorti i tërhequr në Vjenë ka caktuar që Ferizaj në raundin e tretë të përballet me skuadrën turke, Muratpasa Belediyesi. Ndeshja e parë duhet të luhet në Turqi kurse e kthimit në Ferizaj.
Është hera e parë që Ferizaj do të garojë në arenën evropiane. Ndeshjet e Ferizajt me skuadrën turke Muratpasa do të luhen më 14/15 nëntor dhe një javë më vonë.
Kundërshtarin e ardhshëm evropian të martën e mësoi edhe skuadra e hendbollisteve të Istogut. Istogu në raundin e tretë të Kupës Evropiane do të përballet me skuadrën nga Bjellorusia, Victoria-Berestie.
Ndeshja e parë duhet të luhet më 14 apo 15 nëntor në Bjellorusi, ndërsa e kthimit një javë më vonë në Istog.
KHF Istogu në raundin e dytë e eliminoi Vushtrrinë. Tani e pret një udhëtim i largët për në Bjellorusi.
Shorti për raundin e tretë të Kupës Evropiane është tërhequr të martën në Vjenë. Për herë të parë Kosova i ka dy skuadra në raundin e tretë.