Në pikun e krizës energjetike, ndër borxhlinjtë më të mëdhenj është ndërmarrja që menaxhon trenat me rrymë.
Faturat e pashlyera ndër vite kapin shifrën e 1,3 milion eurove, gjë që e bën këtë ndërmarrje shtetërore të padëshiruar për bashkëpunim nga gjithë tregtarët për furnizim me energji elektrike. +
Si pasojë, “transporti hekurudhor” furnizohet me rrymë në tregun e lirë nga furnizuesi i instancës së fundit, duke paguar rrymën 50% më shtrenjtë se sa që është në bursë.
“Ndër borxhlinjtë më të mëdhenj nga institucionet shtetërore janë edhe Hekurudhat e Maqedonisë – Transporti, të cilët sipas këtyre dokumenteve rreth 80 milion denarë kanë fatura të pashlyera për energji elektrike si konsumator i instancës së fundit kjo për arsye se askush nuk paraqitet në tender për të lidhur kontratë për furnizim me energji elektrike”, raporton Adnan Qaili, gazetar.
Nga “Hekurudhat e Maqedonisë – Transporti” thonë se kanë dështuar 4 shpallje për prokurime publike nga që është paraqitur vetëm një furnizues duke ofruar çmimi tepër të lartë.
Nga zyra drejtorisë së institucionit, Liridon Useini tha se tender i pestë është i hapur por s’ka interesim.
“Mund të them se ky institucion është në borxh të madh që herët. Në vitin 2021 ky tender është hapur tri herë dhe në gjitha rastet është paraqitur e njëjta firmë. Tenderi katër u hap në prill të këtij viti dhe asnjë kompani nuk është interesuar. Momentalisht kemi hapur tenderin e ri që të shohim nëse do të paraqitet ndonjë firmë që do të plotësoj kushtet që ne i kërkojmë”, u shpreh Liridon Useini, “Hekurudhat e Maqedonisë – Transporti”.
Këtë ndërmarrje dhe disa tjerat që cilësohen vitale për funksionimin e shtetit, i mbron ligji nga shkyçja.
Nga EVN Home thonë se në mesin e konsumatorëve që furnizohen nga EVN Home si konsumtaor të instancës së fundit, ka objekte dhe institucione të tilla që nuk guxojnë të shkyçen për shkak të borxhit të papaguar.
“Sipas Rregullave të Furnizimit me Energji Elektrike, konsumatorët të cilëve nuk guxon të u ndërpritet furnizimi me energji elektrike janë: spitalet, klinikat, objektet e posaçme shëndetësore, objektet e ndihmës së shpejtë, objektet publike të furnizimit me impiantet e ujit, objektet dhe asetet e transportit publik si aeroportet, stacionet hekurudhore dhe autobusët dhe stacionet e sinjalizimit në trafikun publik, stacionet hidrometeorologjike dhe sizmologjike dhe kopshtet”, thonë nga EVN Home.
Për të zbutur këtë krizë, Qeveria miratoi dy masa që nga 15 tetori-15 prill të fiksoj në 10% marzhën për tregtinë e energjisë elektrike si dhe furnizuesi përfundimtar, të tarifojë një marzhë prej 20% në vend të 50%.
Ndër institucionet që e paguajnë rrymën disa herë më shtrenjtë pasi skanë lidhur kontratë janë shumë shkolla fillore e të mesme, ndërmarrje publike, institucione kulturore e organe shtetërore që sipas raportit të KRRE-së fatura e konsumatorit përfundimtar është ndërmjet 30-40 mln €. Shteti në kuadër të masave të reja për ta zbutur krizën pritet të shlyejë një pjesë të borxheve të këtyre institucioneve. /Alsat.mk