Një shpërthim me lëndë eksplozive ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në një lokal në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.
Shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar pasi në atë orar nuk ka qenë i pranishëm asnjë person.
Siç shkruan Shqiptarja, një sasi e vogël lënde shpërthyese është hedhur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm (rreth orës 03:00) në pjesën e jashtme të lokalit.
E vetmja lëvizje e dyshimtë që policia ka parë në atë orë, është qarkullimi i një automjeti në momentin e shpërthimit, çka dyshohet se mund të jetë makina me të cilën janë larguar autorët.
Siç raporton nga terreni Report Tv, lokali sapo kishte ndërruar pronar, i cili po e rikonstruktonte.
Për ngjarjen pati një reagim edhe nga Policia e Tiranës, e cila tha se “në pjesën e derës së një lokali, ka shpërthyer një sasi e vogël lënde e dyshuar plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale”.
“Shërbimet e policisë po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autori”, thuhet në njoftimin paraprak të bluve të kryeqytetit të Shqipërisë.