Telegrafi

Haziri thotë se nuk do t’i bashkohet Vjosa Osmanit jashtë LDK-së

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka folur rreth mundësisë së bashkëpunimit me Vjosa Osmanin, në nismën e saj të re politike.

Haziri ka thënë se nuk sheh mundësi të bashkëpunimit me Vjosa Osmanin jashtë LDK-së.

“Bashkëpunimin pa LDK-në nuk e shoh si reale. Të them të drejtën nuk e shoh veten pa LDK-në. Është e vështirë. Nuk pres që Osmani të largohet përfundimisht nga LDK. Ajo ka arritur ideologjinë e saj dhe tanimë është pjekur politikisht. Kur arrin këtë lloj pjekurie nuk është e lehtë të ndërrosh ideologjinë”, ka thënë ai, në Kanal10.

Haziri  ka thënë se do të ishte i lumtur që Vjosa Osmani të vazhdonte karrierën në familjen e saj politike, në LDK.

Ai tha se votimi për shkarkimin e Osmanit është bërë përmes postës elektronike dhe se personalisht ka votuar kundër shkarkimit të saj.

Haziri ka deklaruar se ish-kryeministri nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti nuk ka ditur të menaxhojë suksesin e arritur në zgjedhjet e tetorit.

Ai ka thënë se Albin Kurti dështoi të shtyjë mos pajtimet e brendshme brenda koalicionit qeverisës me LDK, pasi sipas tij, probleme të tilla ka edhe sot ndërmjet LDK-së dhe AAK-së, por që ato janë të vogla.