Në LDK janë të bindur se sivjet do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kështu të paktën është shprehur në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu, nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri.
Sipas tij, LDK-ja favorizon një marrëveshje politike, ndërmjet partive politike, për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Haziri bëri të ditur se zgjedhjet e reja mund të organizohen 30 deri në 60 ditë, pas dialogut me Serbinë.
“Ky vit është fillimisht viti i zgjedhjeve nacionale. 30-60 ditë pas fundit të dialogut do të ketë zgjedhje. Ne jemi të përgatitur që zgjedhje të ketë para marrëveshjes finale me Serbinë. Por, me ose pa marrëveshje, zgjedhje parlamentare do të ketë”, deklaroi Haziri për Telegrafin.
Kryetari i Gjilanit foli edhe për zgjedhjet që së shpejti pritet të organizohen brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Haziri nuk pranoi të komentojë nëse do të jetë kandidat për kryetar, por tha se duhet të ketë marrëveshje brenda partisë.
“Favorizoj marrëveshje politike, e cila në një mandat të ardhshëm zgjedhë lidership, i cili edhe mund ta çojë LDK-në drejt partisë së parë. Vazhdoj të bëj apel, që të shkohet drejt një marrëveshje të madhe politike brenda partisë”, u shpreh Haziri. /Telegrafi/