Telegrafi

Haziri thotë se Blinken nuk erdhi në Kosovë për faj të Kurtit

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se në vend të Shqipërisë, sekretari i shtetit amerikan, Antony Blinken do ta vizitonte Kosovën, nëse Albin Kurti do ta mbante fjalën dhe do sillej sipas tij si burrështetas.

Haziri tha në Debat Plus, tha se JO-ja e Kurtit për dinarin bëri që Blinkeni ta vizitojë Shqipërinë e jo Kosovën.

Sipas tij pritjet kanë qenë që Blinken pas vizitës në Shkup ta vizitonte Prishtinës.

“Ka qenë vizitë e mirë, është anashkalu Prishtina, unë e di që ajo ka qenë e planifikuar në Prishtinë, me u pas mbajt fjala, me u pas sjellë si burrështetas. Në partneritet edhe kur thuhet JO arsyetohet jo-ja, pranohet. Jam dëshmitar, ka pas situata kur kemi thënë qëndrimi ynë është ky. Tash po mungon pragmatizmi, nganjëherë ka nevojë me u arsyetu qëllimi si një fëmije 7 vjet”, tha ai.

Sipas tij, Blinken nuk erdhi për faj të Kurtit por edhe për fajin e presidentes Vjosa Osmani.

“Mbajtja e fjalës nga kryeministri dhe pjesërisht nga Presidentja, do ta krijonte mundësinë që sekretari i shtetit ti jep dinamikë të re dialogut. Ai nuk vjen nëse ka ndalje apo regres. Po flasim për një ngërç të madh”, tha ai.

Lexo po ashtu “Aleatët kërkojnë veprime, jo fjalë”, Haziri: Nuk i besojnë më deklaratat e Kurtit

Haziri theksoi tutje se Kurti i ka ndërruar metodat por jo edhe qëllimet politike.

“Kurti i ka ndryshuar metodat dhe jo qëllimet politike. Duke i ndryshu metodat ndërkombëtarët shkaktuan pritje, njëjtë edhe popullit i shkaktoi pritje. Tash po lexohet drejtë tash nuk mund të befasohet për asgjë”, tha ai.

Haziri u shpreh se çështja e dinarit serb është barazuar tashmë me sulmin në Banjskë.

“Ne jemi mundësuar që paratë po shkojnë për financim të terrorizmit, dhe grupeve që po sulmojnë. E kemi humb argumentin. Nuk e kemi kapitalizuar, kemi dështuar dhe e kemi barazuar një dinar në qarkullim me diçka që është shumë e madhe, që ne Serbisë duhet me ia atribuar që strehon terrorist dhe jo vetëm financon”, tha ai.

Lexo po ashtu Haziri: LDK nuk mund të ecë më në “këpucë” të Ibrahim Rugovës

Ndryshe, vizita e kryediplomatit amerikan po vlerësohet nga njohës të diplomacisë si historike dhe me rëndësi të madhe, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kjo ishte vizita e parë e Antony Blinken në Shqipëri dhe e gjashta e një sekretari amerikan të Shtetit.

Në vitin 1991, Shqipërinë e vizitoi James Baker, Madeleine Albright më 2000, Colin Powell më 2003, Hillary Clinton më 2012 dhe John Kerry në vitin 2016.