Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri deklaroi se do t’i shterin të gjitha mekanizmat që deri të hënën, kur edhe është caktuar seanca për votimin e qeverisë së re të Kosovës të definohet partneriteti me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ndonëse thotë se ka pak kohë deri të hënën, Haziri shprehet se duhet të shikohen të gjitha mundësitë që të bëhet marrëveshja.
“Do të shterën të gjitha mundësitë politike, të gjitha mekanizmat, të gjitha format që deri të hënën të definohet qartë dhe të zbardhet qartë partneriteti LDK- Vetëvendosje. Kemi në dispozicion edhe pak kohë, nuk është shumë por duhet me u bë”, tha ai.
Nënkryetari i LDK-së për KosovaPress tha se deri ditën e hënë duhet të evitohet mundësia për qeveri të pakicës.
“Është çështje e vlerësimeve politike që deri të hënën ka mundësi që të evitohet qeveria e pakicës”, u shpreh ai.
Pas kërkesës së mandatarit për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi që seanca për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës të mbahet të hënën.