Nënkryetari i LDK-së, njëherësh kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se janë duke harmonizuar tekstin e mocionit për rrëzimin e Qeverisë.
Haziri në emisionin “Përballje ditore” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com, ka folur edhe për zhvillimet tjera politike në vend, për ‘krizën e humanitare në veri’, për mocionin për rrëzimin e Qeverisë, për zgjedhjet brenda LDK-së, si dhe për mungesën e ujit të pijshëm në Gjilan.
Ai ka thënë se për mocionin mungon edhe një numër i votave të cilat janë vendimtare për rrëzimin e Qeverisë.
“Tekstin e mocionit e kemi harmonizuar, nëse janë nënshkrimet e tri subjekteve janë në funksion të mocionit, atëherë gjithçka është e plotë. LDK-VV-PSD janë në harmonizim. Mungon një numër i votave që mocionin e bënë të suksesshëm” ka thënë ai, transmeton Telegrafi.
Haziri ka thënë se koalicioni qeverisës duhet i gjithi të shkojë në opozitë dhe se kjo qeverisje pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ligjin për dialogin dhe ekipin negociator më nuk ka bazë e as thelb për të egzistuar.
“Është krijuar ambienti që PDK jo vetëm si parti por si koalicion të shkojë në opozitë. Do të ketë ndëshkim të votës. Po punohet që të bëhet kjo. Tani duhet të bëhemi bashkë e gjithë opozita që ta ndëshkojmë këtë. PSD ka qenë urë mes PAN-it, pra PSD dhe Ahmeti kanë qenë me kokë në Qeverisje e me këmbë në opozitë. Presim rikthimin e PSD-së në opozitë me qartësi të plotë”, ka thënë ai./Telegrafi/