Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Haziri ka thënë se një shtet pretendent për të hyrë në NATO, nuk po mundet të ia sigurojë ushqimin ushtrisë së vet.
Për këtë, Haziri fajtor e lë kryeministrin Albin Kurti.
“Me u mundu të zgjidhësh problemin e ushtrisë me mensën e studentëve, është diçka krejt tjetër. E ka kthyer krejt prapë. Është një njeri që e ka kundërshtuar dhe 17 shkurtin, e ai sot po e izolon si kryeministër, po ia shkakton dhimbjen më të madhe. Një shtet pretendent për të hyrë në NATO, nuk po mundet të ia garantojë pasulin ushtrisë”, u shpreh Haziri në një konferencë për media nga Gjilani.
Nënkryetari i LDK-së ka pasur tjetër qëndrim ndaj ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
“Ministri Maqedonci ka imunitet, është i përgatitur, dhe mendoj se po bëhet goditje ndaj tij”, u shpreh Haziri sa i përket ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncit.
Ndërkohë Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka dhënë sqarim në lidhje me shërbimin e ushqimit në Forcën e Sigurisë se Kosovës.
Ai ka thënë se duke marrë parasysh çështjet e ngritura në lidhje me furnizimin me ushqim për pjesëtarët e FSK-së, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës gjatë këtyre ditëve kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të siguruar furnizimet, me qëllim që shërbimi ushqimor për personelin e FSK-së të ofrohet në mënyrën më të mirë të mundshme.
Sipas tij që nga themelimi i FSK-së në vitin 2009, pothuajse çdo herë pas përfundimit të kontratave trevjeçare, si rezultat i ankesave nga operatorët ekonomikë të cilat janë adresuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, janë zhvilluar procedurat për lidhjen e kontratave emergjente./Telegrafi/