Telegrafi

Haziri: LDK e ka bërë të qartë, ose një marrëveshje të balancuar me Vetëvendosjen ose ne në opozitë

Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së ( Foto: Lutfi Haziri/Facebook)

Kanë mbetur edhe katër ditë kur mandatari i propozuar, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti duhet të paraqesë para presidentit Hashim Thaçi se a e ka siguruar shumicën parlamentare për të krijuar qeverinë e re të Republikës së Kosovës.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri në një intervistë për Telegrafin, ka shtuar se LDK-ja duhet ta udhëheqë Kuvendin e Kosovës si balancim i ndarjes së pozitave kushtetuese dhe për një marrëveshje të balancuar.

Haziri në këtë intervistë me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka thënë se ka një angazhim të përbashkët për arritjen e një marrëveshjeje, për shkak se të dy partitë nuk kanë opsion tjetër.

Telegrafi: z. Haziri më 4 shkurt kalon afati i mandatarit të Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti, a pritet të ketë koalicion me LDK-në deri atëherë?

Lutfi Haziri: Natyrisht që LDK është angazhuar në biseda aktive në nivel liderësh dhe grupeve punuese për arritjen e një marrëveshjeje. Tashmë, në pako, marrëveshja si e tillë është finalizuar, përveç te ndarja e përgjegjësive kushtetuese. Përderisa LVV e udhëheq qeverinë dhe z. Kurti është kryeministër një ardhje, ne shpresojmë që ata ta kuptojnë që roli i LDK-së në udhëheqjen e Kuvendit në vitin e parë të qeverisjes është përfaqësim i drejtë dhe është marrëveshje e balancuar për ta finalizuar një bashkëpunim më afatgjatë me Vetëvendosjen, nesër.

Telegrafi: A ka pasur takime mes LDK-së e LVV-së pas takimit ku ishin edhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it?

Lutfi Haziri: Ai ka qenë takimi i fundit, por komunikimi mes liderëve është i rregullt dhe ky komunikim është në funksion të arritjes së marrëveshjes. Jo gjithmonë, takimet formale dhe kthimi në tavolinën e bisedimeve është ajo që i zgjidh problemet, por komunikimi mes dy liderëve nuk ka munguar asnjëherë. Unë besoj që do të jetë rruga më e shkurtër dhe më e drejtë për arritjen e marrëveshjes.

Telegrafi: A mund të dështojë koalicioni me LVV-në dhe pse?

Lutfi Haziri: Është opsion shumë pesimist dështimi. Unë besoj që angazhimi ynë i përbashkët është për arritjen e një marrëveshje, për shkak se të dy partitë nuk kanë opsion tjetër dhe nuk ka plan kontingjent në asnjë mënyrë. LDK e ka bërë të qartë: ose një marrëveshje me Vetëvendosjen ose ne kalojmë në opozitë.

Telegrafi: Çka nëse nuk ndodh ky koalicion, zgjedhje të reja apo marrëveshje të tjera politike?

Lutfi Haziri: Asnjë opsion tjetër nuk është i qëndrueshëm dhe nuk është afatgjatë. Arritja e një marrëveshjeje në kuadër të formatit të 8 janarit që LDK e ka konfirmuar, besoj shumë që do ta përballonte këtë situatë dhe do të krijonte mundësi që sa më shpejtë të hyjmë në implementimin e programit qeveritar, për të cilin, qytetarët kanë pritje të mëdha.

Telegrafi: Ku e shihni zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje?

Lutfi Haziri: Pak pragmatizëm dhe më shumë besim. /Telegrafi/