Telegrafi

Haziri, Kurtit: Hiqe taksën – vendimet e vështira e bëjnë të suksesshëm një lider

Edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, është shprehur pro heqjes së taksës 100 për qind për mallrat serbe.

Përmes një shkrimi në Twitter, Haziri ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti heqjen e taksës dhe vazhdimin me reciprocitet me Serbinë.

Haziri duke iu drejtuar Kurtit ka shkruar se vendimet e vështira e bëjnë të suksesshëm një udhëheqës.

“Vendimet e vështira e bëjnë një udhëheqës të suksesshëm. Koha për të hequr tarifën. Vlerësimet për reciprocitetin shkojnë paralelisht. Koha për vendime të vështira por të nevojshme”, ka shkruar Haziri.

Ndërkaq, përveç insistimit të ambasadorit dhe të dërguarit të Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, për heqjen e taksës, më herët edhe sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo përmes një letre dërguar Kurtit, shpreson që prioritet i liderit të ri të jetë heqja e tarifës 100 për qind dhe vazhdimi i dialogut. /Telegrafi/