Site icon Telegrafi

Haziri: Jemi dakorduar pothuaj plotësisht me Vetëvendosjen për qeverisje

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri ka thënë se nuk do të ketë pengesa me Vetëvendosjen për formimin e qeverisë.

Haziri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se ka disa hileqarë në Kosovë që po dëshirojnë përçarjen e LDK-së në prag të lidhjes së koalicionit me Vetëvendosjes.

Ai ka thënë se kryenegociatorët kryesorë janë Isa Mustafa e Albin Kurti si drejtues të subjekteve përkatëse, përcjell Telegrafi.

I pari i Gjilanit ka thënë se edhe Vjosa Osmani është e përfshirë në ekipet negociuese por ajo do të jetë në ekipin politik.

“Vjosa Osmani ende është e nominuar për kryeministre derisa nuk kemi certifikim të rezultateve. Ajo si e nominuar për kryeministre ka shkuar edhe në Uashington”.

Haziri ka thënë se kalimi i pragut nga NISMA nuk do të thotë se u garanton atyre përfshirjen në qeveri.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se nuk ka asnjë çështje që i ndanë ata me Vetëvendosjesn sa i përket programit ekonomik.

“Nëse Glauku ka thënë jemi dakorduar në 90% të programit, unë ia shtoj edhe 2 % tjera. Nuk ka ndonjë çështje që na ndan në këto momente… Kemi edhe disa sektorë të ndjeshëm, por nuk shoh asnjë pengesë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare”.

Haziri ka thënë se qeveria prej 12 ministrash për një vend si është Kosova është më se e mjaftueshme.

Ai ka thënë se me zvogëlimin e ministrive stafi civil nuk do të preken, por do të shkurtohet vetëm stafi politik./Telegrafi/

Exit mobile version