Site icon Telegrafi

Haziri: Isa Mustafa, emri i vetëm i LDK-së për president

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka mohuar se do të jetë kandidat për president të Kosovës. Në një intervistë për KosovaPress, Haziri deklaroi se LDK nuk ka emër tjetër për këtë post përveç kreut të partisë Isa Mustafa. Po ashtu, Haziri foli edhe për zgjedhjet lokale ku tha se nuk ka ambicie për një tjetër mandat në krye të Gjilanit.

Haziri u shpreh se si parti nuk kanë biseduar me askënd në lidhje me postin e presidentit të vendit dhe rrjedhimisht nuk kanë marrëveshje me asnjë subjekt politik.

Por, Haziri para mikrofonit të KosovaPress u shpreh se mund të pranojnë edhe një emër që mund t’i afrojë të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

“Ende nuk kemi marrëveshje për president, unë po përsëris vazhdimisht që LDK-ja e ka ofruar rolin e vet konstruktiv për t’i dhënë vendit stabilitet. Ne jemi për një president konsensual, sa më konsensual në Kuvendin e Republikës, përtej saj nëse ka mundësi në mënyrë që t’i jepet vendit stabilitet. LDK nuk ka biseduar me askënd për çështjen e ndarjes së rolit të presidentit. Nëse LDK-së i bie në mandat, ose LDK-ja duhet ta udhëheqë, ne besoj që do të japim kontributin tonë dhe nuk kemi emër tjetër përpos Isa Mustafës. LDK-ja pajtohet parimisht me çdo emër i cili afron të gjitha palët, të gjitha partitë në Kuvend të Republikës për të zgjedhur një president sa më konsesual të mundshëm”, ka thënë Haziri.

Përpos zgjedhjes se presidentit, vendi do të shkojë edhe në zgjedhje lokal vitin e ardhshëm dhe shumë parti dhe kandidatë tashmë i kanë zyrtarizuar kandidaturat e tyre.

Në intervistën për KosovaPress, Haziri tha se nuk ka ndonjë ambicie për mandatin e pestë në krye të Komunës së Gjilanit, megjithatë u shpreh se dega e LDK në këtë qytet do të propozojnë një kandidat që shkon dhe përtej partisë.

“Sa i përket Gjilanit, unë jam në mandatin e katërt si i zgjedhur, nëse e bëjmë si ndarje sepse unë në vitin 2005 e kam marrë detyrën e ministrit dhe jam kthyer në Krishtlindjet e vitit 2013, në zgjedhjet e Komunës së Gjilanit. Nuk kam ambicie, përkundrazi unë po punoj shumë në Gjilan që t’i jap mbështetje një kandidati sa më konsensual të mundshëm që del, jo vetëm për LDK-në, por përtej LDK-së, qytetar i cili mund të marrë udhëheqjen e Komunës së Gjilanit në mandatin e ardhshëm në proces zgjedhor”, ka thënë Haziri.

Exit mobile version