Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka quajtur lajm të keq për familjen Shaqiri nga Vrapçiqi i Gjilanit, 11 anëtarët e së cilës kanë rezultuar pozitiv në testin COVID-19, si pasojë e infektimit nga anëtarja e familjes së tyre e cila ka ardhur nga Gjermania.
Haziri, përmes një postimi në Facbebook, ka apeluar te qytetarët që të mos kenë kurrëfarë shqetësimi sepse janë ndërmarrë veprime për karantimim të plotë dhe menaxhim të situatës në vendet e prekura.
Postimi i plotë i Hazirit:
“Lajm i keq për familjen Shaqiri dhe Gjilanin.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike sapo na njoftoi se nga të gjitha mostrat e marra sot në Gjilan, përkatësisht në Zhegër, Kravaricë, Cerincë e Vrapçiq, 11 anëtarë të familjes Shaqiri (Vrapçiq), si pasojë e infektimit nga anëtarja e familjes e cila ka ardhur nga Gjermania, fatkeqësisht rezultuan pozitivë me #Covid19.
Apeloj qytetarët që të mos kenë kurrëfarë shqetësimi sepse kemi marrë veprime për karantimim të plotë dhe menaxhim të situatës në vendet e prekura.
Duhet të potencohet se Zhegra nuk e ka asnjë rast të ri pas testit të dytë sot, dhe pjesa tjetër e komunës është e paprekur.
Faleminderit shumë Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilan për profesionalizimin e madh dhe falë angazhimit të tyre, është bërë lokalizimi shumë i shpejt, në momentin e zbulimit të rastit të parë.
Me mbështetjen tonë dhe ndihmën e Zotit, familja Shaqiri do ta përballojë këtë situatë më lehtë!”, ka shkruar Haziri.
Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bëtë të ditur se sot janë shënuar 26 raste të reja të personave të infektuar me coronavirus në Kosovës, duke çuar kështu në 61 numrin e personave të infektuar.
IKSHPK ka njoftuar se pas marrjes së mostrave të 100 personave që kanë qenë në kontakt të afërt me pacientë të infektuar me coronavirus, është konfirmuar edhe për 26 persona tjerë të prekur me këtë sëmundje.
“ Nga këto mostra të marra për testim në virusin SARS-CoV, njëzet e gjashtë (26) prej tyre kanë rezultuar positive”, është thënë në njoftim.
Ky Institut ka njoftuar se 14 raste janë Komuna e Malishevës, 11 raste nga Gjilani dhe 1 rast nga Gjakova. /Telegrafi/