Telegrafi

Haziri: Amerika kërkoi të mos vonojmë me formimin e qeverisë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka pranuar se ka presione nga ndërkombëtarët për të mos vonuar me formimin e qeverisë.

Haziri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se leximi i drejt i rezultatit zgjedhor e obligon LDK-në te jetë pjesë e qeverisë.

Ai ka thënë se për LDK-në nuk është e lehtë të futet në koalicion me rivalin kryesor, siç e ka konsideruar ai Vetëvendosjen, përcjell Telegrafi.

“Për ne shumë më komode do të ishte qëndrimi në opozitë se të futemi në koalicion me rivalin politik kryesor”.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se ata që e kanë nënçmuar rolin e LDK-së kur kanë bashkëqeverisur në të kaluarën e kanë marrë faturën, duke aluduar në PDK-në dhe partitë e tjera të vogla, për shkak të prishjes së koalicionit qeveritar në të kaluarën.

Haziri ka thënë se nuk ka pse të ngutet në formimin e qeverisë, para se të certifikohet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve.

Lexo po ashtu Haziri: Jemi dakorduar pothuaj plotësisht me Vetëvendosjen për qeverisje

Ai ka pranuar se ka një kërkesë nga Amerika dhe shtetet e QUINT-it që pas certifikimit të zgjedhjeve të mos vonohet rezultati i zgjedhjeve.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se megjithatë ky proces i bisedimeve është një “gjysmëfinale” për të hyrë në një proces tjetër të madh./Telegrafi/