Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka paralajmëruar dënime për bizneset dhe kompanitë, të cilat nuk po respektojnë pika të caktuara të vendimit për masa të sigurisë së qytetarëve pas shfaqjes së coronavirusit, duke i detyruar të marrin pushim në kuadër të pushimit të rregullt vjetor.
Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Qeveria ka ndërmarrë veprime e masa për sigurinë e qytetarëve për shkak të rrezikut nga pandemia COVID – 19. Këto vendime janë të detyrueshme për të gjithë.
“Qeveria ka ndërmarrë veprime e masa për sigurinë e qytetarëve për shkak të rrezikut nga pandemia COVID – 19. Këto vendime janë të detyrueshme për të gjithë”, ka thënë Haxhiu, përcjell Telegrafi.
“Megjithatë lidhur me pikat që lidhen me marrëdhënien e punës, ende ka biznese, kompani që nuk po respektojnë pika të caktuara të vendimit e sidomos sipas informacioneve që i kam, po i detyrojnë të marrin pushim në kuadër të pushimit të rregullt vjetor”.
Haxhiu thotë se “kjo është shkelje e vendimeve të Qeverisë. Kjo është e dënueshme dhe penalizohet sepse rrethanat e tilla nuk duhet të keqpërdoren nga askush”.
“Në paralajmërim për gjithë ata:
“Kërkohet nga të gjitha palët të cilat konsiderojnë që po u shkelen të drejtat nga Marrëdhënia e Punës por edhe Siguria dhe Shëndeti në Punë dhe që afektohen nga vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, t’i drejtohen Inspektoratit të Punës, përmes numrit pa pagesë 0800 77 5 77 apo në e-mail zyrtar: inspektoratipunes@rks-gov.net.”
“Unë do të raportoj secilën shkelje që vjen në adresën time!”, ka thënë Haxhiu. /Telegrafi/