Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pritur në takim përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rugova, Ariana Qosaj dhe Adelina Berisha – udhëheqëse e programit Kundër Dhunës në Baza Gjinore.
Ministrja Haxhiu i njoftoi se Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë e ka vendosur prioritet të saj adresimin e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore dhe se do të angazhohet që edhe institucionet e drejtësisë t’i trajtojnë me seriozitetin e duhur çështjet që kanë të bëjnë me dhunën në familje dhe atë në baza gjinore.
“Për të fuqizuar mekanizmat dhe për të prodhuar rezultate më të mëdha në këtë drejtim, bashkëpunimi me eksponentë të cilët angazhohen përreth kauzave të tilla janë të domosdoshme drejtë kontribuimit të arritjes së qëllimeve të cilat mbrojnë dhe sigurojnë pozitën e gruas drejt barazisë në shoqëri. Si e tillë, sot të dy palët u dakorduan për të filluar amendamentin e Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, i cili duhet të harmonizohet me kërkesën e Konventës së Stambollit, tashmë të zbatueshme në Kosovë, duke nënkuptuar të gjitha format e dhunës me bazë gjinore”, thuhet në njoftimin e bërë nga MD.
Tutje, në njoftim bëhet e ditur se pajtueshmëri nga ky takim kishte edhe për inicimin e draftimit të Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit kundër dhunës në familje 2021-2025, e cila në harmoni me ndryshimet në ligj, do të jetë gjithëpërfshirëse për të trajtuar edhe format e tjera të dhunës me bazë gjinore.
“Gatishmëri u shpreh edhe për themelimin e sekretariatit si mekanizëm mbështetës për Zyrën e Koordinatorit Nacional për Mbrojtjen Kundër Dhunës në Familje. Hapa të bashkërenduar për të aspiruar drejt një shoqërie më të lirë, më të zhvilluar dhe më të barabartë, institucionet e Republikës së Kosovës respektivisht Ministria e Drejtësisë do t’i trajtojnë me konsideratë çdoherë kontributet e tilla nga shoqëritë civile të cilat janë përherë të mirëseardhura”, vijon komunikata.
Më tej, thuhet se “për më shumë angazhim në këtë drejtim, palët u pajtuan që të mbesin edhe më tutje në komunikim gjatë periudhës së ardhme”. /Telegrafi/