Kryetarja e Gjyaktës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi ka pritur sot në takim ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me fenomenin e dhunës në familje si dukuri në rritje në vendin tonë, sidomos në rrethanat e pandemisë COVID-19, ku izolimi në shtëpitë tona është i domosdoshëm me qëllim të parandalimit të përhapjes së infeksionit.
Bytyçi konfirmoi rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje dhe theksoi se përkundër situatës në të cilën po kalon vendi në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë trajtuar dhe vazhdojnë që me prioritet të trajtohen të gjitha rastet.
Haxhiu shprehu gatishmërinë e saj, që në kuadër të autorizimeve të saj si Ministre e Drejtësisë në Republikën e
Kosovës do të jetë në përkrahje të sistemit të drejtësisë.
“Çelësi i zhvillimit të vendit është sistemi i drejtësisë, andaj jam e gatshme që bashkërisht me institucionet e drejtësisë të kthejmë besimin e qytetarëve të Kosovës në sistemin e drejtësisë dhe ta përmbushim misionin e përbashkët, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Haxhiu.
Në fund të këtij takimi u diskutuan edhe çështje të tjera të cilat ndërlidhen me legjislacionin që prek fushën e drejtësisë, personat e privuar nga liria, dhe tema tjera të cilat kanë të bëjnë me sektorin e drejtësisë në përgjithësi. /Telegrafi/