Telegrafi

Haxhiu: Të falen të gjithë qytetarët që u dënuan gjatë pandemisë, gjobat ishin të paligjshme

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të falën të gjithë qytetarët që u dënuan gjatë periudhës pandemike, si pasojë e shkeljes së masave të izolimit.

Haxhiu ka thënë se ato masa ishin kundër-kushtetuese, prandaj, sipas saj, ato dënime janë të paligjshme.

“Po kërkoj unë, që Qeveria legjitime, të marr vendim që të falen të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët me vendimet e qeverisë Kurti u ndëshkuan duke u dënuar dhe arrestuar, për shkak të vendimeve që ishin anti-ligjore dhe anti-kushtetuese. Gjyakta Kushtetuese tregoi që ishin kundërkushtetuese”, tha ajo.

Haxhiu ka thënë se Avokati i Popullit ka kërkuar edhe dëmshpërblimin e tyre, mirëpo sipas saj, më e pakta që mund të bëhet është falja e atyre dënimeve.

“Thjesht, Qeveria Hoti të marr vendim për t’i falur të gjithë qytetarët që u drejtuan padrejtësisht. Avokati i Popullit ka kërkuar edhe dëmshpërblim, por më e pakta që mund të bëhet është falja e atyre dënimeve”, ka thënë ajo. /Telegrafi/