Site icon Telegrafi

Haxhiu: Të anulohet vendimi, Laban nuk mund të jetë anëtar i Gjykatës Kushtetuese

Anëtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Radomir Laban, i cili u zgjodh dje nga deputetët e Kuvendi po del të jetë person i dënuar më parë nga gjykata.

Laban pretendohet se ishte dënuar qysh në vitin 2012 nga Gjykata Themelore në Beograd, si pjesë e një grupi kriminal, i cili kishte kontrabanduar tekstil, teknikë të bardhë, cigare, alkool etj.

Në lidhje me këtë ka reaguar sot deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, e cila përmes një postimi në Facebook,  ka kërkuar të anulohet votimi i Kuvendit përmes të cilit u zgjodh Radomir Laban.

Postimi i plotë i Haxhiut:

“Neni 114 paragrafi 1 i Kushtetutës thotë:

‘Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë (9) gjyqtarë, të cilët do të jenë juristë të shquar dhe personalitete me moralin më të lartë….’

Ndërsa sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese Neni 4 paragrafi 1.3. “Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë individ me reputacion të shkëlqyeshëm moral, të cilët kanë aftësi të plotë veprimi dhe të cilët nuk 
janë dënuar për vepër penale’

Radomir Laban i dënuar si anëtar i një grupi kriminal sipas kësaj dispozite kushtetuese dhe sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese NUK mund të jetë anëtar i Gjykatës Kushtetuese andaj ai votim i turpshëm i Kuvendit duhet të anulohet!”, ka shkruar Haxhiu. /Telegrafi/

Lexo po ashtu Nuk zgjidhet asnjë gjyqtarë shqiptar i Kushtetueses

Exit mobile version