Site icon Telegrafi

Haxhiu takon përfaqësuesit e Ambasadës gjermane dhe GIZ-it, flasin për reforma në gjyqësor

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot ka takuar sekretaren e parë të Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Vera Baumann, si dhe Rrona Berisha, këshilltare ligjore e angazhuar nga GIZ-i më qëllim të fuqizimit të koordinimit në përmbushjen e prioriteteve të Ministrisë si dhe reformave në gjyqësor.

Sipas një njoftimi për media thuhet se gjatë takimit, ministrja Haxhiu prezantoi prioritetet e ministrisë, duke theksuar këtu reformën e domosdoshme në gjyqësor, nisur nga Rishikimi Funksional, vettingu e deri te çështja e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Po ashtu, ministrja Haxhiu iu referua edhe nevojës për fuqizimin e mekanizmave për luftimin e dhunës në familje dhe plotësim/ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Juridike Falas, në dritë krijimit të mekanizmave shtesë të mbrojtjes në rastet e dhunës në familje.

“Lidhur me këtë të fundit, Berisha e informoi Ministren mbi aktivitetet me të cilat GIZ mund të mbështesë Ministrinë, nisur nga qasja në drejtësi për qytetarët përmes qasjes më të lehtë ndaj Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, e cila konsiston në krijimin e zyrave rajonale shtesë, si dhe fuqizimit të data bazës së Koordinatorit Nacional për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet për më tepër se Baumann i ofroi mbështetje ministres në ngritjen e kapaciteteve në dritë të konfiskimit civil, proces ky që udhëhiqet nga Ministria e Drejtësisë, përkatësisht zhvillohet nga grupi punues për hartimin e Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë.

“Ministrja Haxhiu shprehu falënderim të veçantë ndaj ndihmës së këtillë dhe shprehu përkushtim në fuqizimin e mëtutjeshëm të partneritetit ndërmjet Ministrisë dhe Ambasadës gjermane e agjencive të financuara nga Republika Federale e Gjermanisë, në arritjen e prioriteteve të Qeverisë, përmes iniciativave të përbashkëta”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version