Site icon Telegrafi

Haxhiu takoi shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Shefin e EULEX-it, flasin për prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim Përfaqësuesin Special të BE-së, ambasadorin Tomas Szunyog, dhe Lars-Gunnar Wigemark, Shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).

Në këtë takim, dy palët diskutuan sundimin e ligjit në Kosovë, prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, si dhe bashkëpunimin për çështje me interes të përbashkët.

“Fillimisht ministrja Haxhiu përmendi prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me sundimin e ligjit duke filluar nga rishikimi funksional i sektorit të drejtësisë, vetingu në sistemin e drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, adresimin e krimeve të luftës, dhunën në familje si dhe çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë komerciale”, thuhet në njoftimin e bërë nga Ministria e Drejtësisë.

Tutje, në njoftim thuhet se “ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Szunyog dhe shefi i misionit të EULEX-it, z. Wigemark adresuan disa nga çështjet më të rëndësishme në sektorin e sundimit të ligjit, duke filluar me situatën me COVID – 19 dhe sfidat që prekin institucionet e drejtësisë”.

“Ata theksuan se Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit është një bazë e mirë për reformimin dhe organizimin e institucioneve të Kosovës. Po ashtu, shprehën gatishmërinë e tyre për mbështetje me ekspertizë dhe gjithashtu këshilluan për konsensus politik me aktorët vendas dhe ndërkombëtarë. Ndër të tjerash, si prioritet të tyre adresuan luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe theksuan rëndësinë e plotësimit edhe të ndryshimeve të nevojshme ligjore”, vijon njoftimi.

Ministrja Haxhiu theksoi punën në adresimin e shumë komenteve që kanë dalë nga Rishikimi funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit.

Për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Ministrja Haxhiu theksoi se përqendrimi është në dokumentin e konceptit që parasheh paketën e re ligjore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar.

Në takim, u trajtua gjithashtu çështja e personave të pagjetur, si një nga temat më të ndjeshme dhe të rëndësishme për t’u trajtuar nga institucionet.

Të dy palët në takim shprehën gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit në çështjet e shtetit të së drejtës. /Telegrafi/

Exit mobile version