Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pritur sot në takim homologun nga Mbretëria e Danimarkës, ministrin e Drejtësisë, Nick Hakkerup.
Haxhiu, duke iu uruar mirëseardhje ministrit Hakkerup dhe delegacionit danez, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin korrekt të Mbretërisë së Danimarkës, duke i cilësuar si aleat tejet të vlefshëm, veçmas për gatishmërinë e tyre për të ndihmuar Republikën e Kosovës në fushën e drejtësisë penale.
“Palët konfirmuan përparimin në negociatat për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për transferimin e të dënuarve nga Danimarka në Kosovë e cila pritet të nënshkruhet dhe të ratifikohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës gjatë këtij viti”, thuhet në njoftimin për media.
Më tej në njoftim thuhet se partneriteti i tillë, në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës, ishte pjesë e këtij diskutimi, me ç’ rast nga të dy anët u shpreh vullnet për të bashkëpunuar për interesat e qytetarëve të të dy palëve, në zhvillimin dhe avancimin edhe për interesa tjera vitale.
“Partneriteti i fuqishëm në sektorin e drejtësisë, investimet e rëndësishme në fushën e energjisë, janë garanci për zgjerim të bashkëpunimit edhe në fushat tjera”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/