Telegrafi

Haxhiu: Shteti nuk mund të udhëheq hetim të pavarur për Astrit Deharin

Britania e Madhe ka refuzuar kërkesën e Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha që një pjesë e njësiteve të policisë ‘Scotland Yard’ të përfshihet në hetimin për rastin e vdekjes së Astriti Deharit.

Këtë e ka bërë të ditur edhe vetë Ministria e Drejtësisë përmes në njoftimi për media, ku ka theksuar se kërkesa e tillë është dërguar para daljes së raporteve nga Mjekësia Ligjore dhe Prokuroria, me qëllim të eliminimit të dyshimeve të shfaqura në publik sa i përket paanshmërisë dhe besueshmërisë së procesit të hetimeve.

Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu në një prononcim për Telegrafin ka thënë se mënyra se si ka vepruar Ministria e Drejtësisë, për familjen Dehari ka qenë e papranueshme.

“Duhet theksuar faktin se Ministria e Drejtësisë nuk mundet as ta udhëheqë dhe as të bëjë përzgjedhje në hetimin e pavarur të vdekjes së Astritit. Shteti në këtë rast nuk është ndërmjetësues neutral, por palë përgjegjëse për vdekjen e tij, përfshirë këtu sidomos Ministrinë e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka shtuar se ata që s’japin dorëheqje dhe as nuk shkarkojnë askënd, nuk mund të kenë legjitimitet as të flasin se lëre më të vendosin.

“Familja e Astritit, poashtu ne si Lëvizje, po e presim vlerësimin e dy ekspertëve të pavarur të mjekësisë ligjore të angazhuar nga familja, e të cilët ishin prezent në obduksion, Dr.Besim Ymaj dhe Dr.Besim Latifaj. Poashtu do të insistojmë ne hetim te pavarur dhe kjo duhet të bëhet me kërkesën dhe vendimin e familjes Dehari, e kurrsesi të kësaj Qeverie që ka kapur shtetin”, u shpreh Haxhiu./Telegrafi/