Telegrafi

Haxhiu: Shqetësuese rritja e rasteve të dhunës në familje

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu me rastin e përvjetorit të aprovimit të Konventës së Stambollit është takuar me mbrojtësit e viktimave.

Haxhiu në një prononcim për media tha se pjesë e planit të Qeverisë Kurti do të jetë edhe trajtimi i dhunës në familje, e që siç tha Haxhiu është një nga prioritetet e Qeverisë Kurti.

“Siç jeni në dijeni Qeveria Kurti ka prioritet adresimin e dhunës në familje dhe për këtë është angazhuar MD-ja edhe me legjislacionin në fuqi por edhe me rregulloren e qeverisë. Në këtë drejtim së bashku me zëvendës ministren Nita Shala, që njëherit është edhe koordinatore nacionale e dhunës në familje, në 10 vjetorin e hyrjes në fuqi të Konventës së Stambollit kemi planifikuar disa vizita me qëllim të sensibilizimit të institucioneve me qëllim adresim e dhunës në familje e që mbetet shqetësim për faktin se rastet e dhunës në familje po rriten”, tha ajo.

Haxhiu po ashtu u shpreh se mbetet shqetësuese rritja e rasteve të dhunës në familje.

Siç tha ajo sot janë duke planifikuar të aprovojnë programin qeverisës.

“Edhe në takimet e mëparshme që i kemi pasur me institucionet e Kosovës qoftë me gjykatat, prokurorit, policinë kemi kërkuar vëmendjen e tyre në raport me adresimin dhe veprimet e tyre në raport me dhunën në familje dhe në këtë drejtim besojmë që gjatë kohe do të angazhohemi për marrjen e  masave. Me qëllim që veprimet e dhunës në familje të ndëshkohen e jo të veprohet si në të kaluarën. Për neve mbetet shqetësues rritja e rasteve në familje dhe sot planifikojmë ta aprovojmë programin qeverisës dhe në këtë drejtim shumë çështje që adresohen përfshihen në prioritetet e MD-së”, ka thënë Haxhiu.

“Dhuna në familje nuk është private dhe nuk mund të mbetet e izoluar dhe prandaj edhe duhet një bashkërendim institucional për adresim të këtyre rasteve”, theksoi ajo.

Ndërsa menaxheri i Zyrës për ndihmë dhe mbrojtje të viktimave Basri Kastrati, tha se të gjitha rastet do të trajtohen pa u neglizhuar.

“Kjo tregon përkushtimin e MD-së. Ne si Zyre që nga fillimi ofrojmë shërbime për këtë kategori, por me vëmendje të posaçme për viktimat e krimit. Ato çka i adresuam do të jenë prioritet dhe do të trajtohen pa neglizhencë dhe hezitim”, tha ai.

Ndryshe, ministrja Haxhiu më pas do të vizitojë Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve si dhe do të takohet me Njësitin Kundër Dhunës në Familje-Policia e Kosovës. /Telegrafi/