Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim një grup të gjerë të përfaqësuesve të shoqërisë civile të cilët janë të përshirë në trajtimin e çështjeve që ndërlidhen me sektorin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Gjatë këtij takimi Haxhiu tha se Ministria e Drejtësisë do të jetë transparente dhe bashkëpunuese me shoqërinë civile, duke ua mundësuar kështu përfshirjen e tyre në iniciativa të hartimit të të gjitha dokumenteve të politikave që janë përgjegjësi e MD-së.
Sipas njoftimit për media, bëhet e ditur se ajo ka thënë se mbikëqyrja e punës nga shoqëria civile, do të rriste përgjegjësinë, profesionalizmin dhe performancën e Ministrisë së Drejtësisë.
“Së bashku me përfaqësuesit e shoqërisë civile, ministrja Haxhiu ka diskutuar për legjislacionin që ka të bëjë me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, procesin e Vetingut që është trajtuar në kuadër të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, hulumtimin dhe adresimin e krimeve të luftës, politikat në fushën e të drejtave civile, çështjet pronësore dhe të drejtat e njeriut, respektivisht fushën e ekzekutimit të sanksioneve penale”, thuhet në njoftim.