Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, i ka dalë në krah deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku e cila duke cituar një analisti serb, ka thënë se ‘Kurti në përballje me Serbinë është më i fortë sepse nuk ka dosje kriminale të UÇK-së’.
Thaçi, përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se është krenar që ka qenë Drejtor Politik i UÇK-së por është shprehur se ndjehet i befasuar me deklarimin e deputetes Mulhaxha -Klloçaku.
E Haxhiu i ka reaguar Thaçit duke i thënë se ai e ka sjell Gjykatën Speciale, ndërkaq LVV nuk e ka votuar.
“Kollçaku është një mjeke e njohur nga Peja, vjen nga një familje e nderuar, e cila gjatë luftës ka pësuar nga regjimi serb. Duhet të ndalet abuzimi me imazhin e një njeriu të ndershëm, e me kontribut qytetar e politik”.
“Presidenti i paska nxitur njerëzit kundër saj duke u thirrur në UÇK. Por ky president e ka sjellë Gjykatën Speciale, të cilën ne nuk e kemi votuar. Ky dhe partia e tij e kanë sjellë Zajednicën dhe ne kemi protestuar. Ky president e ka sjellë idenë për heqjen dorë nga veriu. Ky është bërë mbështetës i ideve të Vuçiqit”, ka thënë Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë, ka kërkuar nga presidenti Thaçi që të kërkojë falje dhe të mos përçajë.
“I nderuar president, juve duhet të kërkoni falje. Dhe është koha të punojmë për koordinim të qëndrimeve kombëtare, e jo për të mbjellë përçarje. Kryeministri Kurti ka kërkuar koordinim. Është momenti që të tregoni se nuk dini të bëni vetëm përçarje”, ka thënë në fund Haxhiu.
Ndërkaq, ndaj deputetes Mulhaxha-Kollçaku, pati reagime të ashpra, duke bërë që ajo të fshijë postimin në llogarinë e saj në Facebook.
Po ashtu Kollçaku ka thënë se i është keqinterpretuar sa i përket UÇK-së, pasi thekson se vetëm ka cituar një analistë serb, për të treguar se sa shumë kundërshtarë ka Albin Kurti. /Telegrafi/