Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka akuzuar Qeverinë për shkelje të Kushtetutës dhe për promovimin e nepotizmit dhe korrupsionit.
Sipas Haxhiut, kjo Qeveri ka bërë më së shumti shkelje të Kushtetutës së Kosovës në krahasim me të gjitha qeveritë e pasluftës.
Ai e ka përshkruar kabinetin e Kurtit si një Qeveri autoritare që shkel ligjin dhe e mbulon këtë sjellje me “fasadën e angazhimit moral politik”.
“Kjo është Qeveria që më së shumti ka bërë përpjekje dhe e ka shkelur Kushtetutën. Krejt qeveritë e pasluftës nuk kanë bërë shkelje te Kushtetutës sa ka bërë kjo Qeveri për këto dy vjet e gjysmë. Sepse këto janë qeveritë autoritare që e shohin Kushtetutën si fasadë, dhe një ministër e shkel atje, tjetër e shkel këtej, edhe vazhdojnë me shit moral politik. Besoj shumë që edhe mediat kanë përgjegjësi, por edhe akterët tjerë politik që me u kthy edhe me besu këtë”, ka deklaruar ai në Debat Plus.
Haxhiu ka shprehur bindjen se nëse e bën një premtim dhe nuk zbatohen programet për shëndetësi, ai do të jepte dorëheqje.
“Dhe kur ta prezantojmë programin për shëndetësi edhe them që sigurimet shëndetësore i bëjmë për dy vjet, nëse unë nuk i bëj për dy vjet, unë duhet me dhënë dorëheqje sepse duhet me dal qytetarët para ministrisë me ma kërku dorëheqjen”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Haxhiu ka theksuar se qytetarët e Kosovës që kanë besuar në Kurtin dhe janë mashtruar, pasi ai ka akuzuar Qeverinë edhe për promovimin e akrabazhit dhe nepotizmit në pushtet.
“Edhe sot qytetarët që kanë besuar në Kurtin, që ka thënë akrabaja janë për dasma e kanagjegje e jo për ministri, sot e ka mbushur me akraba edhe me sebepa. Nepotizëm edhe ka përpjekje me legalizu nepotizmin edhe korrupsionin, kur sulmohet prokuroi është kjo përpjekje e Qeverisë me e legjitimu korrupsionin”, është shprehur ai.