Telegrafi

Haxhiu: Prokurori as nuk mundi ta argumentonte aktakuzën kundër aktivistëve

Deputetja e lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se sot ishte dëshmitare e një procesi skandaloz e të montuar kundër aktivistëve të VV-së, të cilët po hetohen për sulm ndaj Kuvendit.

Haxhiu tha se ishte pjesë e një seance që një gjyqtar nervozohej sa herë që flitej diçka që shkonte në favor të aktivistëve.

Lexoni të plotë postimin e Haxhiut në Facebook:

“Sot, isha dëshmitare e një procesi skandaloz e të montuar, pra procesit kundrejt aktivistëve tanë që po hetohen për veprën penale të terrorizmit.

Isha dëshmitare në një seancë ku bënte pjesë një prokuror servil dhe i kapur, Abdurrahim Islami, që thënë të drejtën as nuk mundi ta argumentonte se pse e ka ngritur aktakuzën. E po ashtu pjesë e një seance në të cilën bënte pjesë një gjyqtar që nervozohej sa herë që flitej diçka që shkonte në favor të aktivistëve.

Sot, aktivistët tanë do duhej të liheshin të lirë, (për shkak se ata janë të pafajshëm dhe aktakuza ndaj tyre është politike) por kjo nuk u bë për shkak të prapaskenave të këtij sistemi të kapur!”. /Telegrafi/