Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se kanë iniciuar procedurën disiplinore ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, Rrahim Rama.
Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “kemi identifikuar prova të pakontestueshme të cilat na bindin se inicimi i procedurës disiplinore për shkelje serioze, fillimisht do të rezultojë me sanksion disiplinor në përputhje me legjislacionin në fuqi”.
Postimi i plotë i Haxhiut:
“Sot, iniciuam procedurën disiplinore ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.
Në këtë drejtim, nesër do të dorëzojmë shkresën me të cilën do ta njoftojmë Sekretariatin Koordinues të Qeverisë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, lidhur me shkeljet ligjore nga drejtori i përgjithshëm i AAPSK.
Këtë procedurë e ndërmorëm për faktin se:
– Që nga përzgjedhja e tij e deri më sot, kemi identifikuar prova të pakontestueshme të cilat na bindin se inicimi i procedurës disiplinore për shkelje serioze, fillimisht do të rezultojë me sanksion disiplinor në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Nuk do tolerojmë asnjë shkelje përbrenda Ministrisë.
Siç e kemi thënë në Ministrinë e Drejtësisë dhe në secilin institucion tjetër do të instalohen parimet e ligjshmërisë, transparencës, përgjegjësisë, jodiskriminimit, efikasitetit e pavarësisë profesionale”, ka shkruar Haxhiu./Telegrafi/