Site icon Telegrafi

Haxhiu prezanton Projektligjin për KPK-në, opozita e konsideron problematike dhe rrezik për demokracinë

Opozita e konsideron problematike dhe rrezik për demokracinë, Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

Deputetë të partive opozitare po e kundërshtojnë këtë nismë ligjore, teksa ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka shpalosur para Komisionit për Legjislacion projektligjin në Kuvendin e Kosovës.

Ajo tha se në kuadër të objektivave reformuese, kanë vazhduar me prioritet për hartimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Projektligji përmban disa risi, adreson vendosjen e kritereve për përbërjen e këshillit, fuqizimin e rolit dhe rritjen e transparencës”, tha ajo.

Anëtari i komisionit, Driton Selmanaj u shpreh kritik ndaj këtij projektligji, për çka tha se rrezikohet Këshilli Prokurorial.

“Ky dokument nuk i ka marrë për bazë rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Është e papranueshme se si ju ende nuk keni marrë për bazë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Selmanaj.

Për më tepër, deputeti i LDK-së theksoi se kjo iniciativë është e papranueshme.

“Dje na është drejtuar një letër përmes zyrës së BE-së, ku thotë që të rishikohen rekomandimet. Ju po duket se nuk jeni konsultuar. Me çdo mjet do të ju ndalim”, shtoi ai.

Edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri u shpreh se ky projektligj është problematik, duke përmendur edhe çështjen e përbërjes prej 19 anëtarëve.

“Unë i kam tri probleme të mëdha me këtë ligj, e para lidhet me vendimmarrjen e cila buron prej vet anëtarëve dhe ne kemi bërë një rritje deri në 19 anëtarë. Çka nënkupton kjo? Një instancë e sundimit të ligjit në KPK sfidohet seriozisht prej përbërjes së re që buron prej Kuvendit. Edhe është çështje dhe problem i madh se kjo i jep prapë politikës gjatë gjithë kohës të ketë ndikim të drejtpërdrejt. Reforma bëhet për të forcuar”, theksoi Tahiri. /Kp/Telegrafi/

 

Exit mobile version