Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se nga zjarri që ka përfshirë këtë të martë objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore nuk janë djegur apo dëmtuar mbetjet mortore e as arkiva apo mostrat e këtij institucioni.
Ajo ka bërë të ditur se për zjarrin është njoftuar rreth orës 08:00 nga drejtori i IML-së, Dritor Haliti.
“Rreth orës 08:00 të mëngjesit, nga drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, jam njoftuar që dy zyra në katin e dytë në objektin e IML, janë përfshirë nga zjarri”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
“Ekipet e zjarrfikësve, policia, prokuroria menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave”.
Ministrja tutje ka thënë se ekipet e forenzikës, ekspertët e zjarrit dhe të elektroteknikës janë ende duke e kryer punën e tyre me qëllim që të dihen shkaqet e zjarrit.
“Policia dhe prokuroria po ashtu janë duke bërë punën e tyre. Për shkak të atyre që kanë ndodhur në IML ndër vite, me të drejtë qytetarët mund të jenë të shqetësuar lidhur me këtë, mirëpo pa kuptuar shkakun e zjarrit nuk mund të japim informacione më shumë”.
“Sapo të kemi informacione më të detajuara lidhur me rastin, do të njoftojmë me kohë”, ka përfunduar ajo.
E nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, në një përgjigje për Telegrafin kanë bërë të ditur se kanë lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes.
“Ju njoftojmë se me të pranuar informatën nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin e zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me të gjitha njësitë relevante për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të shkaqeve të këtij incidenti.
Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes dhe nga të gjeturat e tyre eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të veprës penale, do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme konform dispozitave të KPPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Prokuroria më tej ka theksuar se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, IML-në dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin e plotë të rastit në fjalë.
Ndryshe, është hera e dytë që objekti i IML-së është përfshirë nga flakët brenda këtij viti. /Telegrafi/