Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka dalë në një konferencë për media pas publikimit të disa audio-incizimeve që kanë të bëjnë me sektorin e drejtësisë, saktësisht në prokurori prej ku mund të hedhen dyshime për keqpërdorim të detyrës dhe korrupsion.
Haxhiu ka thënë se kambanat për cenimin e drejtësisë po bien sërish dhe ajo çfarë është e çuditshme është që përkundër faktit që kanë kaluar disa ditë nga publikimet e këtyre audio-incizimeve nuk kemi parë reagime.
“Nuk kemi parë reagime shoqërore, nga mediat, nga shoqëria civile. Nuk po ndodh e njëjta siq ka ndodhur me aferën Pronto, po ndodh një skandal shumë i madh ndaj të cilit nuk po ka asnjë reflektim. Si ministre thërras reagim shoqëror, qoftë nga mediat, shoqëria civile por edhe institucionet”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka shtuar se është e pa pranueshme që për një skandal që po ndodh në Kosovë të flas vetëm Qeveria.
“Një praktikë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë që për një skandal të tillë të flas vetëm Qeveria, dhe institucionet tjera të heshtin”, u shpreh Haxhiu.
Ministrja Haxhiu shtoi se kjo tregon se procesi i vettingut është i pashmangshëm.
“Askush nuk ka dilemë se Vettingu në sistemin e drejtësisë është shumë i rëndësishëm. Bëjë thirrje Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial që të ndërmarrin urgjentisht hapa në këtë drejtim dhe të hetojnë të gjithë ata persona që cenojnë integritetin e institucioneve të drejtësisë”, tha Haxhiu. /Telegrafi/