Site icon Telegrafi

Haxhiu për arrestimin e Baliq: Injorimi i veprimeve të tilla është miratim që dhuna seksuale të vazhdojë

Foto: Arkiv

Ish-ministrja e Drejtësisë në Qeverinë Kurti, Albulena Haxhiu ka thënë se është e patolerueshme të institucionet shëndetësore të shndërrohen në vende ngacmimi e dhunimi të grave, duke iu referuar rastit të arrestimit të ish-ministrit të Shëndetësisë, Numan Baliq.

Haxhiu theksoi se këto veprime duhet të ndëshkohen, ndërsa ajo tha se çfarëdo injorimi i veprimeve të tilla çnjerëzore nga ana e qeverisë e institucioneve është miratim që sulmet e dhuna seksuale të vazhdojnë të ndodhin

“Në Spitalin Regjional të Pejës mbrëmë është sulmuar seksualisht një grua. Abuzuesi i cili është arrestuar qenka ish-ministër i Shëndetësisë dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës. I njëjti, vepër penale për ngacmim e sulm seksual, paska edhe nga e kaluara. Kjo mendësi që gratë mund të sulmohen e dhunohen me kaq lehtësi, përveç e papranueshme duhet të jetë e ndëshkueshme. Së pari nga shteti e pastaj edhe nga shoqëria. Institucionet shëndetësore, dhe jo vetëm, është e patolerushme të shndërrohen në vende ngacmimi e dhunimi i grave. Këto veprime nuk duhet të tolerohen por të ndëshkohen. Çfarëdo injorimi i veprimeve të tilla çnjerëzore nga ana e qeverisë e institucioneve është miratim që sulmet e dhuna seksuale të vazhdojnë të ndodhin”, shkruan Haxhiu.

Ndryshe, Telegrafi sot gjatë ditës ka raportuar se ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq është arrestuar  nga Policia nën dyshimin se i njëjti në vendin e tij të punës  në Spitalin e Pejës, ka sulmuar seksualisht një 23-vjeçare.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Lidhur me rastin në fjalë është ndaluar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale sulm seksual në spitalin regjional të Pejës. Me urdhër të prokurorit është dërguar në ndalim 48-orësh, gjithashtu prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë veprime lidhur me këtë çështje”, ka thënë Nikçi.

Lidhur me këtë rast ka raportuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.

Lexo po ashtu Arrestohet ish-ministri Numan Baliq, dyshohet se ngacmoi seksualisht një vajzë

“Rr. Nëna Terezë, Pejë 12.08.2020-22:53. Është arrestuar i dyshuari mashkull nën dyshimin se i njëjti e ka sulmuar seksualisht viktimën femër. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48-orë”, thuhet në raportin e policisë.

Ish-ministri Numan Baliq kohë më parë ishte liruar nga akuza për ngacmim seksual ndaj një punonjëse në spitalin ku punon.

Prokuroria Themelore e Pejës kishte ngritur aktakuzë për këtë vepër ndaj Baliqit, me çka dyshohej se nga muaji gusht i vitit 2018 në vazhdimësi e ka ngacmuar praktikanten e Spitalit Rajonal të Pejës duke i shkruar mesazhe me përmbajtje ngacmimi në telefon dhe duke i dërguar edhe letra.

Pas këtij rasti, Baliq ishte suspenduar nga puna. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version