Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se çfarëdo veprimi i policisë dhe prokurorisë me qëllim të zbardhjes së veprimeve të dyshimta korruptive në ndërmarrjet publike por jo vetëm, është i mirëseardhur.
Haxhiu ka theksuar se “secili dyshim për kontratë të dëmshme duhet të adresohet dhe përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë”.
“Kosova duhet të ndërmarrë veprime konkrete e serioze në luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. Vetëm kështu zhvillohet e përparohet vendi. Ne do të jemi në mbështetje të kërkesave të institucioneve të drejtësisë në fuqizimin e kapaciteteve të tyre”, ka shkruar Haxhiu në Facebook, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, sot Prokuroria së bashku me Prokurorinë kanë realizuar një aksion, i cili është zhvilluar në dy lokacione në Prishtinë dhe ka përfunduar me arrestimin e personave me inicialet: T.M., A.O., K.M., dhe D.Ć.
Personat me inicialet T.M., dhe A.O., dyshohen se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së, “Përvetësimi në detyrë”, nga neni 418 të KPRK-së dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 427 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, personat e arrestuar dyshohet se kanë shkaktuar dëme mbi 300 mijë euro Telekomit të Kosovës.
“Dy nga personat e arrestuar dyshohet se veprat i kanë kryer në cilësi të personave zyrtar në Telekomin e Kosovës, të cilët dyshohen se gjatë zbatimit të kontratës të lidhur në mes Telekomit të Kosovës dhe operatorit ekonomik kontrata në vlerën 327,514 €, kanë keqpërdorur për përfitime personale këtë kontratë, duke i shkaktuar dëm Telekomit të Kosovës në shumën prej treqind e njëzet e shtatë mijë e pesëqind e katërmbëdhjetë (327,514 ) euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Të dyshuarit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh. /Telegrafi/