Refuzimi për t’iu nënshtruar kontrolleve në kohën kur seancat e Kuvendit përcilleshin me gaz lotsjellës, deputetes Albulena Haxhiu i kushtoi me hospitalizim, raporton KTV.
Në fakt, çmimi që pagoi në tentim për të penguar punën e legjislativit, shkoi dhe më larg ku pasi u përplas përtokë derisa i rezistonte sigurimit, ajo humbi vetëdijen për çka kërkoi trajtim mjekësor.
Aty pos që iu dha ndihma deputetes së lëvizjes, nga ky institucion rrodhën edhe informacionet më konfidenciale të pacientëve. Për këtë, ajo tash po kërkon llogari nëpërmjet organeve të drejtësisë, ndonëse e ka të zbehur besimin në to.
Ajo po akuzon me këtë, jo vetëm QKUK-në, por edhe Policinë e Kosovës, të cilët e shoqëruan gjatë gjithë kohës sa ishte e shtrirë në QKUK. Në QKUK thonë të jenë sqaruar me deputeten Haxhiu derisa shprehin gatishmërinë për bashkëpunim për zbardhje të rastit.
Ndryshe ka qenë përgjigjja e Policisë së Kosovës. I kontaktuar nga KTV-ja zëdhënësi i këtij institucioni shkurt ka thënë se për të gjitha veprimet që kemi ndërmarrë ato ditë, jemi sqaruar nëpërmjet komunikatave.