Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi sot se në Qendrat për Punë Sociale ka shumë sfida e boshllëqe ligjore.
Haxhiu këto komente i bëri në konferencën për prezantimin e analizës mbi gjendjen aktuale të Qendrave për Punë Sociale, në aspektin ligjore, institucional dhe funksional.
Ministrja u shpreh se raporti flet për shumë mungesa e boshllëqe ligjore.
“Me qëllim të krijimit të një pasqyre sa më reale të këtyre shërbimeve, si ministre e Drejtësisë në fillim të muajit shkurt kam formuar një grup punues. Ky grup është udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë, sot kemi në dorë një analizë të qartë për nevojat dhe problemet Qendrave Sociale”, tha Haxhiu.
Ajo tha se kjo gjendje nuk duhet të lejohet të vazhdohet nga niveli qendror e lokal, raporton kp.
“Kur Qendra për Punë Sociale janë të mjaftueshëm për të kryer punën e tyre, do të kemi më pak raste të fëmijëve në rrugë, të rasteve të keqpërdorimit, të viktimave të dhunës seksuale. Jemi të përkushtuar qe të bëjmë maksimumin. Në këtë drejtim, do të punohet në krijimin e një skeme të qëndrueshme”, shtoi ajo.
Drejtoresha e koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve (KOMF), Donjeta Kelmendi u shpreh se ka sfida ligjore dhe është emergjente të ndryshohen.
“Kanë dalë sfidat ligjore dhe është emergjente që këto ligje, ndryshimet që priten të bëhen, janë emergjente për të proceduar, duke qenë se vetëm Ligji Për Prokurorim është finalizuar. Pjesa strukturore, për shërbime sociale është baza e funksionimit. Ka qendra që nuk kanë fare automjet. Vetëm 28 për qind e qendrave janë përgjigjur se aktualisht kanë kushte të ofrojnë shërbime”, shtoi ajo.