Telegrafi

Haxhiu – Minxhozi diskutojnë mbi integrimin më të madh Kosovë – Shqipëri

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, priti sot në takim ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë Qemal Minxhozi, me të cilin bisedoi për zhvillimin dhe integrimin më të madh të të dy shteteve të kombit shqiptar.

Me prioritet u diskutuan mekanizmat që Ministria e Drejtësisë do t’i vë në dispozicion në bashkëpunim me ministritë tjera relevante, që edhe në aspektin administrativ e ligjor të krijohen mundësi për zhvillim më të hovshëm ekonomik në mes të dy vendeve.

Ambasadori Minxhozi vlerësoi punën dhe përkushtimin e treguar gjatë kësaj periudhe të qeverisjes së re, duke inkurajuar që me të njëjtën energji të vazhdohet përgjatë mandatit, si garanci që sukseset e mëdha të jenë të arritshme.

Me shumë optimizëm për punë dhe suksese të përbashkëta, të dy palët lanë për të kuptuar që takimet dhe konsultimet të vazhdohen në ritëm të pandërprerë në mënyrë që të dy shtetet në rajon, të faktorizohen dhe zhvillohen shumë më shpejt se deri tani.