Telegrafi

Haxhiu mbron Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës: Eleminon korporatizmin dhe grupet klanore

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Ligji i votuar sot për Këshillin Prokurorial të Kosovës është reformë e shumë pritur.

Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se ky ligj do ta riorganizojë Këshillin Prokurorial “me eliminim të korporatizmit dhe grupeve klanore në Këshill, e me rritje të llogaridhënies, integritetit dhe profesionalizmit në sistem”.

Haxhiu pohuar se ndryshimet e votuara sot në Kuvend për ligjin në fjalë janë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venedikut, por edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Mbetemi të përkushtuar e të angazhuar në rrugën tonë reformuese, për një sistem llogaridhënës e profesional, të besueshëm dhe të pandikueshëm, e të qasshëm për të gjithë qytetarët”,ka thënë Haxhiu.

Lexo po ashtu Opozita paralajmëron dërgimin në Kushtetuese të ligjit për KPM-në dhe atij për KPK-në

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe atë të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nëpërmjet votimit të këtyre ligjeve po tentohet të kapen dhe të nënshtrohen këto institucione të pavarura.
Ndërsa, nga LDK-ja kanë thënë se votimet e sotme shpërfaqin tendencën e kapjes antikushtetuese të institucioneve të pavarura të vendit.

Ndryshe, me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Të pranishëm gjatë votimit të këtij projektligji ishin vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. /Telegrafi/