Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, ka mbështetur, vendimin e SBASHK-ut për të hyrë në grevë.
Përmes një shkrimi në Facebook, Haxhiu ka kërkuar edhe mbështetjen e prindërve, pasi sipas saj, për këtë nuk janë fajtorë punëtorët e arsimit, por Qeveria e papërgjegjshme e cila e ka thelluar krizën e diskriminimin.
“Në një vend ku numri i ministrave, zëvendësministrave, këshilltarëve, nuk ka tavan dhe ku paga e një këshilltari është disa fish më e lartë se e punëtorëve shëndetësor dhe në këtë rast edhe punëtorëve të arsimit, pakënaqësitë vetëm sa vijnë e shtohen”, shkruan Haxhiu në Facebook.
Ajo thotë se një Qeveri që nuk e qan kokën për dinjitetin dhe mirëqenien e mjekut, mësuesit, por vetëm ka hallin e interesit personal, duhet përgjigjur me grevë.
Këshilli i Prindërve të Kosovës, kryetari i të cilit është Ymret Reshiti, nuk e ka mbështetur grevën e SBASHK-ut.
“Keni dhënë shembull se si vlerësohet interesi i përgjithshëm para interesit personal. Ju mbështesim fuqishëm në të drejtën tuaj për ngritjen e pagave përmes dialogut social. Ju na bëtë krenar të gjithëve me aktin tuaj. Ftojmë mësimdhënësit e shkollave të ndjekin shembullin e shkollës “Elena Gjika” dhe të fillojnë procesin mësimor”, shkruan Reshiti në Facebook./Telegrafi.