Telegrafi

Haxhiu: Lufta e pa kompromis kundër korrupsionit ka bërë që Kosova të ketë progres në indekset ndërkombëtare

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi sot se Qeveria e Kosovës mbetet e angazhuar për të forcuar mekanizmat për parandalimin e korrupsionit.

Ajo në forumin e sotëm “Lufta kundër Korrupsionit – Ballkani Perëndimor në Fokus”, tha se lufta e pa kompromis kundër korrupsion ka bërë që Kosova të ketë progres në indekset ndërkombëtare antikorrupsion dhe atë të sundimit të ligjit.

“Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër-korrupsion dhe në përmbushjen e zotimeve të tilla që rrjedhin nga Samiti për Demokraci dhe Procesi i Berlinit”, tha Haxhiu.

Duke folur për angazhimet në reformën në drejtësi, ajo përmendi vettingun, me ç’rast i njoftoi të pranishmit se koncept-dokumenti bashkë me amendamentet kushtetuese, janë dërguar për opinion në Komisionin e Venecias.

“Përmes vettingut në sistemin e drejtësisë, si Qeveri synojmë që të arrijmë të kemi një sistem të pa korruptuar, me integritet moral e profesional, të drejtë dhe të guximshëm e të pa kompromis në luftën kundër krimit dhe korrupsionit” tha Haxhiu.

“Në të njëjtën kohë, Ministria e Drejtësisë ka përgatitur Projektligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar, nismë kjo e cila do të kontribuojë luftës së përbashkët kundër-korrupsion”, tha Haxhiu.

Haxhiu përmendi edhe Rregulloren për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit të miratuar nga Qeveria e Kosovës si dhe ka theksuar rëndësinë e miratimit të Projektligjit për Sanksionet e Shënjestruara kundër shkelësve të huaj të të drejtave të njeriut, i njohur si Magnitsky Act.

“Ministria e Drejtësisë është afër finalizimit të këtij Projektligji, dhe si e tillë është e para në rajon e cila miraton këtë akt – nismë kjo me efekte globale antikorrupsion. Ky akt ka për qëllim mbështetjen e demokracisë, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare” tha Haxhiu.

Ndryshe, në forumin e sotëm morën pjesë edhe përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor. /Telegrafi/