Telegrafi

Haxhiu: Letra e Thaçit për PAN-in, në shërbim të PDK-së – ky subjekt është buzë greminës

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj shkresës zyrtare të Presidentit të Kosovës, i cili i ka kërkuar koalicionit PAN që të propozojnë kandidatin e ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Albulena Haxhiu. nga LVV, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se Presidenti është në shërbim të plotë të PDK-së, pasi që siç tha ajo ky subjekt është buzë greminës.

“Ne i kemi bërë thirrje Presidentit Thaçi që sa më shpejt të veprojë në konsultim me partitë politike, caktimin e datës së zgjedhjeve. Si në vazhdimësi ai është në shërbim të plotë të PDK-së, dhe duke qenë që ky subjekt politik tashmë është buzë greminës dhe në një momentum të pafavorshëm, Thaçi po mundohet të bëjë eksperimentime, dhe të merr kohë vetëm e vetëm që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Që nga java e shkuar ne kemi dhënë propozimin tonë për shpërbërje të Kuvendit. Besoj javën e ardhshme duhet të shpërbëhet Kuvendi”, ka thënë ajo.

Lexo po ashtu Thaçi i kërkon koalicionit PAN propozimin për mandatarin e ri për kryeministër (Dokument)

Ndryshe në letrën e presidentit Thaçi drejtuar Kadri Veselit thuhet se si koalicion fitues që kanë fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë, kanë të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Proceduralisht, pas caktimit të mandatarit për formimin e qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit që përbën shumicën e Kuvendit, kandidati i ri për kryeministër jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë së re para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit. /Telegrafi/