Deputetja e VV-së Albulena Haxhiu, nëpërmjet një postimi në Facebook bën të ditur se i ka kërkuar LDK-së mbështetje për iniciativën për të formuar komisionin për hetimin e SHIK-ut.
Haxhiu thotë se për ta formuar këtë komision iu duhen edhe 9 nënshkrime pasi që 31 janë mbledhur.
Postimi i Haxhiut në Facebook:
Siç e kemi bërë të ditur, grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për formimin e Komisionit për hetimin e SHIK-ut.
I kemi mbledhur 31 nënshkrime, na duhen edhe nëntë nënshkrime të deputetëve.
Në emër të grupit, i kam shkruar shefit të grupit parlamentar të LDK-së. I kam kërkuar të njëjtit mbështetje për këtë iniciativë por që ende nuk kam marr asnjë përgjigje nga ai.
Për ne është e papranueshme qasja dhe hipokrizia e vazhdueshme e LDK-së, në këtë rast edhe sa i përket SHIK-ut!
Në njërën anë, çdo ditë akuzojnë SHIK-un për veprime kriminale dhe në anën tjetër NUK e kanë guximin të ndërmarrin asnjë veprim, madje në mandatin e kaluar deputetët e LDK-së kishin votuar Kadri Veselin për kryetar Kuvendi.
I bëjmë thirrje grupit parlamentar të LDK-së, të na japin nënshkrimet ose në të kundërtën nuk kanë më asnjë të drejtë as morale të thirren në kundërshtimin e SHIK-ut. Ky është momenti të na tregojnë të gjithëve a e kanë përnjëmend kundërshtimin e SHIK-ut.