Telegrafi

Haxhiu: Mikullovci i ka të drejtat e plota për thirrjen e seancës konstituive, kurdo që e konsideron të nevojshme

Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka thënë se bllokuesit duhet t’i kthehen seancave në Kuvend, ndërsa sipas saj, për t’i hapur rrugë krijimit të Qeverisë, konstituimi i Kuvendi duhet të bëhet sa më parë.

Ajo në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se kryesuesi i seancës konstituive, deputeti Adem Mikullovci, i ka të drejtat e plota për të thirrur seancën konstituive, kurdo që ai e konsideron të nevojshme dhe arsyeshme.

“Koalicioni PAN, ndonëse thonin se i kanë votat, u vonuan dy orë në seancën konstituive të 3 gushtit. Kur erdhën pas dy orësh, i kërkuan edhe dy orë të tjera. Enver Hoxhaj me një fjalë tha ‘ndoshta pas drekës ndryshojnë gjërat’!

Pas dy orësh, nuk u kthyen më. Nuk erdhen as të premten, në vazhdimin e seancës konstituive.

Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti Adem Mikullovci, i ka të drejtat e plota për të thirrur seancën konstituive, kurëdo që ai e konsideron të nevojshme dhe arsyeshme. S’ka asnjë obligim karshi kërkesave për takime konsultative.

Bllokuesit duhet t’i kthehen seancave në Kuvend. Për t’i hapur rrugë krijimit të Qeverisë, konstituimi i Kuvendi duhet të bëhet sa më parë”. (sic). /Telegrafi/