Site icon Telegrafi

Haxhiu: Komisioni i Venecias u thotë po ndryshimeve në Sistemin Prokurorial

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur lidhur me Reformën e thellë në Sistemin Prokurorial dhe Opinionin e Komisionit të Venecias.

Sipas saj, disa media vazhdojnë të raportojnë kinse Komisioni i Venecias është “shokuar” me iniciativën për ndryshime ligjore në sistemin prokurorial dhe Komisioni ka “rrëzuar” këtë iniciativë të filluar nga Ministria e Drejtësisë.

Këto raportime ajo i ka quajtur të pavërteta duke thënë se nuk kanë qëllim të mirë.

“Komisioni i Venecias u thotë PO këtyre ndryshimeve. Të premten që shkoi, si Ministre e Drejtësisë e shoqëruar me ekipin tim, kam qenë në seancën plenare të Komisionit në Venedik, me ç’rast edhe njëherë kemi paraqitur argumentet tona  se si duhet të bëhet kjo reformë përmes kësaj nisme ligjore”, shprehet Haxhiu.

Sipas ministres, Ministria e Drejtësisë ka pranuar draftin e parë e po ashtu pas komenteve mbi draftin e parë, amendamente të reja…

Ndër të tjera,  Haxhiu thekson se opinioni ofron rekomandime për përbërjen e re të KPK dhe lidhur me këtë jep dritën e gjelbër për uljen e numrit të anëtarëve të KPK, nga 13 në 7, po ashtu adreson nevojën për përcaktimin e kritereve shtesë të anëtarëve.

“Po ashtu ofron rekomandime se si përbërja duhet të jetë e balancuar me anëtarët prokurorë dhe jo-prokurorë, këshillon në procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve dhe gjithashtu ofron rekomandime për mandatin e anëtarëve aktual, duke ofruar zgjidhje konkrete”, thotë tutje.

Sipas saj, opinioni do të publikohet në fillim të javës në faqen e Komisionit të Venecias.

“Ndryshimet e pakos ligjore në fjalë, janë rekomandime që rrjedhin nga Strategjia për Sundimin e Ligjit 2021 – 2026 e cila tashmë ka filluar të implementohet”.

Në fund tha se reforma në sistemin prokurorial njëjtë si ajo në drejtësi do të ndodhë dhe kjo, në përputhje me standardet vendore kushtetuese, rekomandimet e Komisionit të Venecias si dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare./Telegrafi/

Exit mobile version