Në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po raporton kryeministri Hoti për 100-ditshin e punës së qeverisë, deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu ka thënë se në rrethana të vështira për shkak të pandemisë, qeveria ia ka dalë të kryej detyrat e saj.
Haxhiu tha se për këto 100 ditë qeverisë, nuk ka pasur asnjë aferë korruptive, dhe kjo është esenciale për të.
“Kuvendi jep kritika dhe sugjerime mirëpo duhet ta pranojmë faktin për mirëqeverisje në kushte dhe rrethana të vështira për shkak të pandemisë. Për sektorë të veçantë mendoj se secili ka hapësirë dhe nevojë për përmirësime, por ajo që dua të them është se për këto 100 ditë të qeverisë nuk kemi afera korruptive, që për mua është esenciale”, tha Haxhiu.
Ajo tha se çdo ministër i qeverisë duhet të punojë në interes qoftë edhe të vetëm një qytetari, dhe assesi në interes të grupeve të caktuara.
“Ne jemi zotuar që në fillim se do t’iu kritikojmë për mospunë, por edhe t’iu mbështesim për punët e mira të cilat qeveria i bënë, dhe secili ministër i kabinetit qeveritar duhet të jetë i gatshëm të punoj në interes qoftë edhe të një qytetari të vetëm, e jo në interes të grupeve të caktuara. Duhet ta përgëzojmë qeverinë, përkatësisht ministrinë e Shëndetësisë për menaxhimin e mirë me pandeminë, dhe kjo është inkurajuese, sepse kemi numër në rënie krahasuar me numrin e testimeve, dhe për këtë jemi falënderues fillimisht për ata që janë në vijën e parë të frontit, por edhe qytetarët të cilët e kanë marrë seriozisht respektimin e masave”, tha ajo.
Sipas Haxhiut, koalicioni qeverisës është stabil dhe po funksionon mirë, dhe bazuar në këtë fakt, kërkohet përshpejtim i hapave në përkrahjen e kategorive të caktuara që kanë nevojë tani.
“Ndërsa, në fusha të tjera, zhvillimin ekonomik, duhet transparencë edhe më e madhe, sepse kjo është edhe kërkesë e qytetarëve, edhe pse nuk jemi keq. Bujqit i kërkojnë të drejtat e tyre të cilat edhe ju takojnë, andaj kërkohet përshpejtimi i hapave për përkrahjen ndaj tyre. Mund të themi se koalicioni po funksionon mirë, ne do t’iu përkrahim për punët e mira dhe po ashtu do t’iu kritikojmë aty ku ka vend për kritika”, shtoi ajo. /Telegrafi/