Telegrafi

Haxhiu: Kjo qeveri ka probleme substanciale në menaxhimin e pandemisë, spitalet janë para kolapsit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu tha sot se situata me pandeminë COVID-19 është tejet alarmante dhe spitalet janë para kolapsit.

Haxhiu në Kuvendin e Kosovës tha se derisa vendi po shkon drejt katastrofës shëndetësore, gara për pushtet i ka verbuar “këta të Avdullah Hotit dhe ata që ishin para tij”.

Ai më tej tha se derisa spitalet janë të mbushura me pacientë dhe personeli shëndetësor është i stërlodhur, qeveria sillet me komoditet sikur spitalet janë në planet tjetër e jo detyrim i kësaj qeverie.

“Gjendja e krijuar tregon se kjo qeveri ka probleme substanciale organizative, profesionale në menaxhimin e pandemisë”, tha ai, raporton Telegrafi.

Sipas tij, klinikat ku trajtohen personat me COVID-19 janë shndërruar në vatrat kryesore të përhapjes së coronavirusit dhe nuk ka as sterilizues, e as aparate të dezinfektimit.

Deputeti i PDK-së ndër të tjera tha se me mashtrim, joprofesionalizëm e hajni kishte vepruar edhe Qeveria Kurti, që sipas tij një ditë më parë shkeli masat mbrojtëse dhe organizoi tubime me qytetarë.  /Telegrafi/